Arsimi dual u zgjerua në institucionet e arsimit të lartë

Arsimi dual u zgjerua në institucionet e arsimit të lartë

Fakulteti i Bujqësisë në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip filloi një iniciativë për të transferuar konceptin e mësimdhënies praktike të integruar nga shkollat e mesme në arsimin e lartë. Kjo do të thotë që përveç praktikës verore, studentët nga viti i tretë dhe i katërt i këtij fakulteti do të ndjekin mësime praktike në kompani gjatë semestrit. Kjo qasje plotësuese do të lejojë inxhinierët agronomikë të diplomuar të hyjnë menjëherë në procesin e prodhimit te punëdhënësi i ardhshëm ndërsa kompanitë do të fitojnë staf të trajnuar që korrespondon me kërkesat e tyre.

Sapo ka përfunduar pilot trajnimi i mentorëve për realizimin e orëve praktike nga Universiteti Goce Dellçev dhe nga kompanitë bashkëpunuese. Gjatë dhënies së certifikatave për mentorët, atyre iu drejtua zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës Agim Nuhiu. Ai u shpreh i kënaqur me rritjen e marrëdhënieve midis institucioneve arsimore dhe kompanive, gjë që përforcon komponentin e trajnimit praktik dhe pas diplomimit, studentët janë të përgatitur në mënyrë adekuate për të hyrë në tregun e punës.

“Me mbështetjen e Zvicrës, ne po zhvillojmë, zgjerojmë dhe promovojmë konceptin e arsimit dual në shkollat e mesme profesionale, ku fokusi është më shumë në mësimdhënien praktike që zhvillohet në kompani. E përmenda këtë koncept, sepse sinqerisht shpresoj se do të zgjerohet, do të reflektohet në arsimin e lartë dhe do të lejojë një vazhdimësi të arsimit cilësor praktik që tani u ofrohet nxënësve të shkollave të mesme, nëse vendosin të përmirësohen akademikisht” shtoi Nuhiu.

Dekania e Fakultetit të Bujqësisë, dr. Emilija Arsov foli për punën intensive deri më tani në lidhje me zhvillimin e një programi mentorimi për mësimdhënien praktike të studentëve. “Shpresojmë do të kemi sukses, kemi interes nga ana e studentëve dhe, natyrisht, u bëjmë thirrje kompanive që punojnë në sektorin e bujqësisë të hapin dyert për studentët tanë në mënyrë që nesër të kenë një staf të trajnuar që do t’i përgjigjet tregut të punës”, tha ajo në fjalën e saj.

Maqedonia po përforcon konceptin e arsimit dual në mënyrë që të përgatisë staf cilësor që do të jetë në gjendje t’i përgjigjet sfidave në botën reale të biznesit. Gjithnjë e më shumë institucione arsimore në vend po krijojnë partneritete me kompanitë, duke u mundësuar studentëve të kombinojnë njohuritë teorike me aftësitë praktike.

Ngjarja u zhvillua në kuadër të aktivitetit “Zhvillimi i Programit për Mentorim për Arsimin e Lartë në Bujqësi”, i mbështetur financiarisht nga projektet zvicerane Arsim për Punësim në Maqedoninë e Veriut – E4E @mk dhe Programi për Rritjen e Punësimit në Treg – IME.