Dialog social për avancimin e arsimit profesional dhe trajnimit

Dialog social për avancimin e arsimit profesional dhe trajnimit

Me qëllim të identifikimit të nevojave të ndërmarrjeve dhe rrjedhimisht përgjigjes së kërkesave të tyre nga aspekti i kuadrit përkatës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe projektin Arsim për Punësimin në Maqedoninë e Veriut – E4E@mk, filloi proces konsultimi me ndërmarrjet, odat ekonomike dhe vetëqeverisjet lokale për nevojën për hapjen e profileve dhe paraleleve të reja në shkollat e mesme profesionale, në të gjithë vendin nga viti i ardhshëm shkollor. Gjegjësisht, në rrjedhë është realizimi i 19 takimeve rajonale në të gjithë vendin, në të cilat nën moton “Mëso zgjuar, puno me profesionalizëm”, Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Mila Carovska, përfaqësues të Qeverisë dhe MASH, kryetarë të komunave dhe kompanitë diskutojnë për hartimin e programeve mësimore dhe politikave të regjistrimit në shkollat e mesme profesionale. Qëllimi i takimeve të tilla është të inkurajohet dialogu social midis palëve të interesuara, i cili do të rezultojë me harmonizimin e ofertës dhe kërkesës së fuqisë punëtore, përkatësisht krijimin e kuadrit profesional dhe cilësor.

Takimeve të tilla rajonale u parapriu analiza e kryer nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila dha një pasqyrë të qartë të profileve ekzistuese të ofruara nga shkollat, pajtueshmërinë e tyre me nevojat e kompanive dhe gatishmërinë e kompanive të bashkëpunojnë me shkollat e mesme profesionale në niveli lokal. Nga analiza u konstatua se është e nevojshme të dilet në terren dhe të bisedohet me një numër të madh të palëve të interesuara që mund të mbështesin avancimin e arsimit profesional dhe trajnimit. Me analizën u përfshinë 450 kompani nga i gjithë vendi, nga të cilat rreth 85% u deklaruan se janë të gatshme të bashkëpunojnë me shkollat e mesme profesionale dhe të pranojnë nxënës për mësim praktik, diçka që është shumë e rëndësishme për krijimin e stafit profesional dhe cilësor.

Procesi i konsultimit filloi me ngjarjet në Sveti Nikollë dhe Shtip.  Në këto ngjarje morën pjesë përfaqësues të kompanive që shprehën shumë qartë nevojat e tyre për kuadër profesional, veçanërisht për nevojat e industrisë së mishit dhe industrive të tjera që ndiejnë mungesën e stafit profesional, veçanërisht në nivelin lokal.

“Biseduam se cilat janë nevojat e tyre reale për profile të caktuara që mungojnë me vite në kompanitë, dhe mundësitë për të njëjtat të hapen paralele në shkollat e mesme profesionale. Për herë të parë, po hyjmë në negociata intensive me kompanitë, odat ekonomike dhe shkollat e mesme profesionale në mënyrë që të sigurojmë stafin profesional të kërkuar, por edhe për të rritur punësimin e të rinjve”, deklaroi Carovska.

Velesi, Kavadari dhe Negotina si qeveri lokale theksuan fuqimisht nevojën për bashkëpunim ndërmjet kompanive private dhe shkollave të mesme profesionale, duke marrë parasysh sukseset që prezantuan kompanitë Rontis nga Velesi dhe Drekslmajer nga Kavadari ndërkaq rezultojnë nga përvoja me trajnimin praktik të nxënësve. Kompanitë posaçërisht theksuan përfitimet nga kjo mënyrë e bashkëpunimit me shkollat e mesme profesionale kundrejt kostove gjatë realizimit të këtij koncepti të arsimit profesional dhe trajnimit.

“Morëm propozime shumë konstruktive dhe të dobishme për profilet që duhet të hapim. Fuqishëm besojmë se përmes këtij dialogu social së bashku do të identifikojmë nevojat dhe do t’i përgjigjemi kërkesave të kamotshme të kompanive, por gjithashtu do të profilizojmë arsimin profesional që do të krijojë personelin e nevojshëm për sektorin real”, tha Carovska.

Shkollat e mesme profesionale gjithashtu theksuan se realizimi i trajnimit profesional për nxënësit e shkollave të mesme profesionale nuk është i plotë kur realizohet vetëm në shkollat, sepse shumica e aftësive të nevojshme lidhen me teknologjitë e reja dhe moderne, që janë në dispozicion vetëm të kompanive.

Zëvendës Ministri i Arsimit dhe Shkencës – Arafat Shabani në takimet e mbajtura në Strugë dhe Ohër i njoftoi pjesëmarrësit me planet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për ri-përcaktimin e procesit të dhënies së bursave për nxënësit të cilët do të regjistroheshin në arsimin e mesëm profesional dhe theksoi se ky hap duhet të jetë një motiv shtesë për të gjithë të rinjtë që duan ta përqendrojnë arsimin dhe karrierën e tyre në sektorin real.

Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe Qendra për Arsim Profesional dhe Trajnim, mbështesin ngjarjet si palë relevante të interesuara, në procesin arsimor. Oda Ekonomike, përmes zhvillimit të më shumë se 85 programeve dhe standardeve arsimore, inkurajon përfshirjen e kompanive në krijimin e programeve arsimore, mbështet zbatimin e trajnimit praktik te punëdhënës dhe verifikimin e punëdhënësve. Mbështetja e tillë nga Oda Ekonomike, është garanci shtesë drejt ndërtimit të partneritetit publik-privat midis sektorit privat dhe shkollave të mesme profesionale. Qendra për Arsim Profesional dhe Trajnim, si institucion kompetent për arsimin profesional dhe trajnimin, monitoron vazhdimisht dialogun e përgjithshëm social dhe ofron udhëzime dhe rekomandime përkatëse për shkollat profesionale, komunat dhe kompanitë në kuadër të këtij dialogu social, me qëllim adaptimin përkatës të politikave të regjistrimit për vitin e ardhshëm shkollor.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës – Mila Carovska gjithashtu mbështet dhe inkurajon të gjitha komunat, në bashkëpunim me sektorin privat, të vazhdojnë në drejtim të përcaktimit të nevojave për profile të reja ose përshtatjen e profileve ekzistuese, ndërtimin e partneriteteve afatgjata midis kompanive dhe shkollave të mesme profesionale si dhe avancimin e trajnimit praktik të nxënësve në kompani.

Ngjarjet në suazat e këtij dialogu social për promovimin e arsimit të mesëm profesional dhe trajnimit, vazhdojnë në Tetovë, Kumanovë, Kriva Pallankë, Prilep, Manastir, Bogdanci, Strumicë, Koçan, Berovë, Qytetin e Shkupit, Ilinden, Gostivar dhe Kërçovë.

Ngjarjet janë organizuar me zbatimin e plotë të masave për mbrojtje dhe parandalim nga KOVID-19.