Nga: Nadire Selimi, Sabin Selimi, Zenebe B. Uraguchi – 02. Nëntor 2020
Para se të futemi në detaje…
Imagjinoni për një moment historinë e një studenteje të quajtur Mia.
Megjithëse asaj i është ofruar mundësia e arsimit të përgjithshëm për arsimin e mesëm të lartë, ajo përsëri zgjedh të regjistrohet në Arsimin Profesional dhe Trajnim (APT). Mia përfaqëson zgjedhjen e rreth 72% të nxënësve të rinj në arsimin e mesëm të lartë në Zvicër. Kjo tregon qartë se APT është një rrugë shumë tërheqëse në karrierë. Megjithatë tregimi nuk mbaron këtu. Edhe pse Mia mund të marrë pjesë në APT të bazuar në shkollë, ajo zgjedh APT dual. Kjo është ajo që bëjnë 85% e të gjithë nxënësve në programet e APT-së.
Zvicra ka punëtorët me aftësi më të larta në botë. Falë aftësimit dhe zhvillimit profesional, deri në 70% e nxënësve të shkollave të mesme marrin pjesë në sistemin APT të standardit të artë’. Nxënësit kombinojnë shkollën me mësimin në mjedis pune. Diplomat nuk kanë shumë rëndësi – nën një e treta e studentëve nën 25 vjeç shkojnë në arsimin e lartë apo universitet.
Por çfarë është arsimi dual dhe pse ka rëndësi?
Me fjalë të thjeshta, arsimi dual është një sistem në të cilin aftësimi në një kompani kombinohet me lëndë në një shkollë profesionale. Është e një rëndësie të madhe pasi kontribuon në zhvillimin e aftësive cilësore praktike që kërkohen nga punëdhënësit.
Prandaj ka një ndikim të rëndësishëm në rritjen e punësueshmërisë së nxënësve dhe së fundmi në lehtësimin e rrugës së tyre drejt një punësimi të denjë dhe të menjëhershëm. Një gjë është e qartë – kur bëhet fjalë për arsimin dual, të gjithë sytë drejtohen drejt Zvicrës (ose Gjermanisë për këtë çështje) e cila zbaton me sukses këtë model arsimor.
Ja ku qëndron çelësi i këtij suksesi: sistemi arsimor dual zviceran është unik
Le t’i kthehemi tregimit të Miës. Ashtu si nxënësit e tjerë, ajo kalon një ditë në javë në shkollë duke mësuar lëndë themelore, siç janë matematika dhe gjuha, si dhe teorinë që mbështet punën e saj. Pjesa tjetër të kohës së saj e kalon në vendin e punës. Tani, ju mund të pyesni veten: a nuk është ajo një nxënëse e rregullt në shkollë?
Këtu qëndron dualiteti i sistemit. Në vendin e punës, Mia mëson përmes të bërit, vëzhgimit dhe komunikimit me mentorin e saj, i cili ka shumë shkathtësi të spikatura dhe përvojë, si dhe përmes përjetimit të transformimit të njohurive të saj teorike në zgjidhjen e problemeve reale në punë. Kështu ajo e kupton përkushtimin dhe dashurinë për profesionin e saj dhe përgatit terrenin për t’u bërë nëpunëse e suksesshme elektroteknike.
Për Dr. Markus Maurer, i cili është profesor i arsimit profesional në Universitetin e Cyrihut për Edukimin e Mësuesve, faktorët siç janë “diapazoni i gjerë i profesioneve, orientimi i fortë kah aftësitë dhe përfshirja e sektorit privat jo vetëm në sigurimin e APT-së por edhe në qeverisjen e tij”, e bëjnë APT-në duale zvicerane kaq tërheqëse dhe unike.
Nxënësit mund të zgjedhin midis programeve të APT-së në rreth 230 profesione të cilat i përgatisin ata për të arritur dy lloje të kualifikimeve të APT-së: certifikatën e APT-së dhe diplomën e APT-së. Këto programe përfshijnë të gjithë sektorët e ekonomisë zvicerane, përfshirë ndërtimin, inxhinierinë, shëndetësinë dhe bankimin. Të gjitha programet e APT-së në Zvicër janë fuqimisht të orientuara drejt kompetencave.
Por për çfarë janë këto kompetenca? Ato janë të përqëndruara në dy fusha kryesore: kompetencat profesionale (p.sh. kompetencat specifike të profesionit) dhe kompetencat transversale (p.sh. kompetencat personale, sociale dhe metodologjike). Më e mira nga të gjitha, APT-ja duale është e mundur vetëm falë atyre afërsisht 30 përqind të të gjitha kompanive në ekonominë zvicerane që përfshihen në trajnimin e studentëve të APT-së. Shoqatat (kryesisht përfaqësojnë punëdhënësit) janë gjithashtu aktive në hartimin e politikave të APT-së, si dhe urdhëresat e APT-së (specifike për profesionin), planet e trajnimit dhe procedurat e kualifikimit.
A mund të jetë ky një model për të tjerët? Po, por me adaptim
Jashtë Zvicrës, vendet tjera e vlerësojnë sistemin e arsimit dual si një zgjidhje për uljen e papunësisë së të rinjve. Qëndroni me ne, sepse ne do t’ju tregojmë se si.
Mergim Jahiu, një këshilltar ndërkombëtar në Instituti Federal Zviceran për Arsim Profesional dhe Trajnim (SFIVET) thekson dy fusha kryesore të sistemit dual të APT-së zviceranë që mund të jenë frymëzues për vendet e tjera që synojnë të reformojnë sistemet e tyre të APT-së. E para ka të bëj me partneritetin publiko-privat dhe dialogu social që funksionon shumë mirë. E dyta është integrimi i pedagogjisë profesionale në botën e punës.
Meqenëse në qendër të sistemit dual është mirëkuptimi i përbashkët midis sektorit privat dhe qeverisë, kjo ka çuar deri në rritjen e ndjenjës së pronësisë së palëve të interesuara për shkak të vendimeve të bazuara në konsensus dhe përgjegjësive të përbashkëta. Jahiu ka qenë i përfshirë në mbështetjen e vendeve të ndryshme si Maqedonia e Veriut duke bashkëpunuar me Projektin E4E@mk të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (AZZhB). Ai vuri re se në vend të një qasjeje copy-paste të sistemit dual të APT-së zvicerane, është shumë e rëndësishme të kihet një qasje adaptive, dmth., të përshtatësh faktorët e suksesit në kontekstin e atij vendi të caktuar.
Nëse kthehemi pak në kohë, elementët thelbësorë të APT-së duale siç shpjegohet nga Prof. Dr. Maurer dhe Jahiu nuk duket se paraqesin ndonjë risi për prindërit dhe gjyshërit tanë. Ky model i APT-së ishte një qasje mbizotëruese e APT-së në ish-Jugosllavi. Fundi i komunizmit dhe tranzicioni drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë u pasqyrua në çdo aspekt të jetës, dhe arsimi i APT-së nuk mbeti i përjashtuar. Partneritetet midis ndërmarrjeve publike të atëhershme dhe shkollave publike të APT-së, tani duhet të zëvendësohen nga partneritete kryesisht ndërmjet ndërmarrjeve private dhe shkollave publike të APT-së.
Por, çfarë leverdie ka për sektorin e ndërmarrjeve?
“Prodhimtari dhe rritje më e lartë”, thotë Stefan Thomas, një ekspert në Fondacionin Evropian të Trajnimit (FET). Ai shpjegon se punëdhënësit që ofrojnë mundësi për nxënësit për të mësuar në vendin e punës mund të përfitojnë drejtpërdrejt nga aftësitë më të mira teknike dhe specifike të punës midis nxënësve, të diplomuarve dhe punonjësve. Së dyti, potenciali i rekrutimit të nxënësve dhe të diplomuarve, si Mia, është një përfitim tjetër i madh për ndërmarrjet. Nxënësit gjithashtu bëjnë punë produktive që mund t’u kthejë disa ose madje të gjitha kostot kompanive të tyre mbështetëse.
Një shembull i mirë është Projekti 20-20-20 i EVN-së, ndërmarrja e shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut. Kjo ndërmarrje është një pionier në vend në zbatimin e modelit dual të APT-së 3-vjeçare paralelisht me mësimdhënien ekzistuese të bazuar në shkollë në bashkëpunim me shkollën e APT-së “Mihajlo Pupin”.
Aneta Petrovska-Rusomaroski, Udhëheqëse e Burimeve Njerëzore dhe Organizatës në këtë kompani, kujton sfidat me të cilat janë përballur në inicimin dhe zbatimin e këtij projekti: “Na u deshën shumë resurse dhe përpjekje. Ne u përballëm me sfida si kompani. Ne ishim u përgatitëm për 2 vjet, duke filluar nga vlerësimi i nevojave, përgatitja e analizave ligjore, duke mësuar nga praktikat e mira në sistemet e zhvilluara dhe duke përgatitur kompaninë për sa i përket aftësive dhe modelit organizativ.”
Në ndërkohë, është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se Maqedonia e Veriut është në “fazën eksperimentale” të qasjes duale. Vendi po piloton në 7 shkolla të APT-së dhe 16 ndërmarrje. Prandaj, bashkëpunimi ekzistues midis sektorit privat dhe shkollave të APT-së bazohet në “hapësirën” e parashikuar në Ligjin për Arsimin e Mesëm, Neni 39, shpjegon Anica Aleksova, Eskperte pët Politikë Arsimore dhe Qeversije në projektin E4E@mk.
Sipas Aleksova, në kornizën ligjore duhet të përfshihen disa ndryshime në mënyrë që të ndërtohen kushte të favorshme për zbatimin e një qasjeje duale të APT-së (p.sh. e drejta për shkollat dhe kompanitë për tu organizuar dhe angazhuar në APT duale së bashku me rolet dhe përgjegjësitë e tyre të qarta )
Le të përfundojmë me një vërejtje nga Isabelle Dauner Gardiol dhe Zenebe Uraguchi të cilat shkruan mbi sistemin e arsimit dual zviceran. Duke pranuar përfitimet e sistemit dual të APT-së, ata gjithashtu theksuan se realitetet në terren ndonjëherë janë më të nuancuara dhe jo gjithçka është e shtruar me lule.
Sistemi kontribuon në nivele të ulëta të papunësisë së të rinjve, por gjithashtu vjen me një kosto për ata djem dhe vajza të rinj që nuk janë ende të pjekur për botën e punës. Gjithashtu nuk mund të harrohet aspekti gjinor: imagjinoni një vajzë që ëndërron të bëhet një murator profesioniste. Ajo do ta ketë të vështirë të gjejë një kompani që do t’i ofrojë asaj vend mësimi, madje edhe në Zvicër.