Përmirësimi i cilësisë së arsimit profesional dhe trajnimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut përmes zgjerimit të mëtutjeshëm të konceptit të të mësuarit përmes punës në kompani, do të jetë fokusi i punës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në periudhën e ardhshme ndërsa mbështetja për arritjen e këtyre qëllimet sigurohen nga Qeveria e Zvicrës.
Me këtë rast, më 31.01.2023, Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri dhe ambasadori i Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Sh.T. Veronique Ullman nënshkruan Memorandum bashkëpunimi që parashikon zbatimin e një plani konkret me disa aktivitete të përbashkëta deri në vitin 2026.

Pas nënshkrimit të memorandumit, ministri Shaqiri theksoi se përmirësimi i cilësisë dhe promovimi i arsimit të mesëm profesional tek të rinjtë është pjesë e strategjisë afatgjatë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa një nga mbështetësit më të mëdhenj është pikërisht qeveria e Zvicër, e cila ofron jo vetëm mbështetje financiare, por edhe mbështetje në aplikimin e praktikave më të mira nga arsimi profesional zviceran në vendin tonë.

Për ambasadoren Ulman është kënaqësi të ndihmohet kur synimet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut janë të dukshme për krijimin e kuadrove cilësore që i mungojnë ekonomisë, por edhe përpjekjet për zhvillimin dhe integrimin e sistemit kombëtar të arsimit në hapësirën arsimore evropiane.
“Bashkëpunimi ynë filloi në vitin 2018 dhe që atëherë ka dhënë rezultate të rëndësishme si për të rinjtë ashtu edhe për sektorin privat në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Si pjesë e këtij Memorandumi për Bashkëpunim, Zvicra do të ndajë 5.9 milionë franga zvicerane shtesë, duke e çuar mbështetjen totale të Zvicrës për reformat në sistemin e zhvillimit të aftësive profesionale në vendin tonë në 12 milionë franga zvicerane. Shkëmbimi i përvojave në kuadrin e mbështetjes zvicerane dhe shkëmbimi i njohurive dhe praktikave më të mira mbështet drejtpërdrejt sistemin dual profesional dhe arsimor duke lidhur sektorin privat me arsimin, në mënyrë që t’i mundësojë qasje në fuqi punëtore të kualifikuar dhe të kontribuojë në mundësi të denja për punësimin e të rinjve në vend.” – Veronik Ulman, Ambasadore e Zvicrës në Maqedoninë e Veriut.

Reformat për avancimin e sistemit për zhvillimin e aftësive profesionale realizohen përmes projektit Arsim për punësim në Maqedoninë e Veriut (E4E@мк) – Faza 2, me kohëzgjatje deri në vitin 2026, ndërsa organizatat që vazhdojnë ta zbatojnë projektin janë : Helvetas Maqedonia e Veriut, Qendra Maqedonase për Edukim Qytetar dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut.
Në kuadër të fazës së dytë, projekti synon mospërputhjen e aftësive të fituara në procesin arsimor dhe aftësive të kërkuara në tregun e punës. Ky boshllëk çon në papunësi të lartë tek të rinjtë dhe pengon konkurrencën e ekonomisë. Duke u mbështetur në rezultatet e fazës së parë, faza e dytë do të fokusohet më tej në arsimin profesional dual (APD). Projekti do të vazhdojë me mbështetjen sistematike të institucioneve arsimore në nivel kombëtar, por do të ndërhyjë edhe në nivel lokal, duke mbështetur zbatimin e reformave në arsimin profesional.
Projekti do të mbështesë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Qendrën për Arsim Profesional dhe Trajnim, në bashkëpunim me Odat e Tregtisë, në zhvillimin dhe miratimin e legjislacionit të nevojshëm për arsimin profesional dual dhe trajnimin, si aktet nënligjore dhe udhëzime për zbatimin e arsimit dual. Për sa i përket sektorit privat, projekti do të forcojë kapacitetet e organizatave të biznesit, të cilat duhet të jenë lidhja midis kompanive anëtare të tyre dhe shkollave të arsimit profesional. Angazhimi më i madh në nivel lokal do të jetë një pjesë e rëndësishme e fazës së dytë të projektit.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila zhvilloi një dialog intensiv me kompanitë e interesuara për t’u përfshirë në procesin e arsimit dual përmes fushatës “Mëso me mençuri, puno profesionalisht”, do të bëjë përpjekje për transferimin e dialogut dhe procesit në nivel lokal, të komunave.

Qëllimi kryesor ose rezultati i pritshëm i fazës së dytë të projektit është që të rinjtë të fitojnë punësim të denjë për shkak të aftësive të orientuara nga tregu, nëpërmjet (1) përmirësimit të sistemit të arsimit profesional dhe trajnimit që do t’i pajisë në mënyrë efikase dhe efektive të rinjtë për tregun e punës, dhe nëpërmjet (2) kompanive dhe organizatave të biznesit që së bashku do të krijojnë dhe sigurojnë relevancën e tregut të arsimit profesional dhe trajnimit.
Gjithashtu, nënshkrimi i memorandumit për bashkëpunim për fazën e dytë të reformave për avancimin e sistemit për zhvillimin e aftësive profesionale në Republikën e Maqedonisë së Veriut bazohet edhe në rezultatet e arritura në fazën e parë të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Zvicrës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, që kanë filluar në vitin 2018, dhe i referohen periudhës 2020-2022.




