PANAIRI DIGJITAL PËR ARSIM TË MESËM PROFESIONAL

Iniciativë për panair të profesioneve profesionale dhe arsim profesional

Panairi digjital për arsim të mesëm profesional paraqet iniciativë e zbatuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, me qëllim promovimin dhe avancimin e arsimit të mesëm profesional dhe trajnimit. Me qëllim të informimit të nxënësve të klasës së nëntë dhe prindërve të tyre për mundësitë që ofrojnë shkollat e mesme për përvetësimin e aftësive profesionale dhe punësimin e duhur pas përfundimit të shkollës së mesme, projekti Arsim për punësim në Maqedoninë e Veriut – E4E@mk dhe Qendra Maqedonase për Arsim Qytetar, realizuan panairin digjital për arsimin e mesëm profesional.

Të ballafaquar me pandeminë e Kovid, panairi digjital për arsimin e mesëm profesional është padyshim forma më e sigurt për informimin nxënësve të klasës së nëntë nga i gjithë vendi dhe prindërve të tyre për mundësitë që ofrojnë shkollat e mesme profesionale dhe kompanitë. Në të ardhmen do të realizohet edhe panair për arsimin profesional me prezencë fizike, ku kompanitë dhe shkollat profesionale do t’u mundësojnë nxënësve të jenë pjesë e një profesioni të caktuar, përmes shembujve praktikë dhe aplikimit real të profesionit.

Përmes shembujve ilustrues nga një sërë profesionesh që sot janë jashtëzakonisht të kërkuara në tregun e punës, panairi digjital thekson mundësinë e zgjedhjes së karrierës përmes arsimit profesional, përmes të cilit nxënësi ka mundësi për trajnim praktik në kompani dhe mbështetje nga mentorë të trajnuar. Nëpërmjet video-sesioneve, të rinjtë njihen me programet arsimore të disa shkollave të mesme profesionale, ndërkaq kanë mundësi të ndjekin shembuj konkretë të gjimnazistëve të suksesshëm, të cilët duke zgjedhur arsimin e mesëm profesional janë bërë elektro-teknikë të suksesshëm dhe teknikë të makinerisë, kuzhinierë, mekatronikë dhe teknik të transportit.

Panairi digjital përfshin diskutime të hapura mbi tema që kanë të bëjnë me zgjedhjen e karrierës së ardhshme, si dhe prezantime mbi mundësitë e arsimit dhe trajnimit të ofruara nga kompanitë që kanë klasa të duale në shumë shkolla të mesme. I gjithë programi është hartuar në një mënyrë argëtuese, interesante dhe interaktive për të sjellë arsimin e mesëm profesional më pranë të rinjve që përfundojnë arsimin fillor.

Panairi digjital është një platformë për njohjen e nxënësve të ardhshëm të shkollave të mesme me përzgjedhjen e gjerë të profesioneve që ofron arsimi i mesëm profesional dhe më e rëndësishmja me ofertën e mundësive për karrierë. Panairi digjital së bashku me dialogun social dhe fushatën “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm” kontribuojnë drejt qëllimit, që më shumë të rinj të fitojnë arsim profesional cilësor dhe trajnim që kontribuon në punësim më të mirë dhe të denjë.

Panairi digjital për arsim të mesëm profesional është në dispozicion në lidhjet e mëposhtme:

Pjesa e parë: https://www.youtube.com/watch?v=j6QX_j2ueX0
Pjesa e dytë: https://www.youtube.com/watch?v=NIlgWWJWFHo

Së shpejti, panairi digjital do të jetë në dispozicion në të gjitha gjuhët mësimore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.