Maqedonia e Veriut është anëtarja e 34-t e platformës WorldSkills Europe

Maqedonia e Veriut është anëtarja e 34-t e platformës WorldSkills Europe

Më 3 korrik 2025, Maqedonia e Veriut shënoi anëtarësimin e saj në WorldSkills Europe me një ngjarje promovuese, platformën më të madhe evropiane për ekselencë në aftësi dhe arsimin profesional. Ngjarja u organizua në bashkëpunim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Qendra për Zhvillimin e Arsimit Profesional, si dhe projekti zviceran “Arsim për Punësim në Maqedoninë e Veriut – E4E@mk”.

“Synojmë ekselencën në arsimin e mesëm profesional, i cili nuk është më një alternativë, por zgjedhja e parë për të rinjtë. Kemi miratuar një Ligj të ri me të cilin e rregulluam konceptin e arsimit dual, rrisim numrin dhe forcojmë qendrat rajonale për arsimin e mesëm profesional. Në bashkëpunim me dhomat ekonomike, po rrisim numrin e kompanive të përfshira në trajnimet praktike dhe po prezantojmë profesione të reja sipas nevojave të ekonomisë. Kemi siguruar një buxhet prej 50 milion denarë për 1,570 bursa, secila prej 3,500 denarë, për një periudhë prej 9 muajsh, për nxënësit që në vitin e ri shkollor do të regjistrohen në paralele duale”, tha Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Ajo theksoi se përpjekjet për një arsimi profesional më cilësor kanë pasur një ndikim të shkëlqyer, pasi trendi i rritjes së vazhdueshme të numrit të nxënësve vazhdoi edhe në afatin e regjistrimeve në qershor, me më shumë se dyfishin e nxënësve të regjistruar në shkollat e mesme profesionale krahasuar me gjimnazet. Sipas saj, anëtarësimi i Maqedonisë në platformën prestigjioze evropiane WorldSkills Europe do të mundësojë përparim shtesë në cilësinë e arsimit profesional në vend.

Përmes anëtarësimit në WorldSkills Europe, Maqedonia e Veriut bëhet pjesë e një komuniteti prej 34 vende që investojnë në aftësi profesionale, arsimin e të rinjve dhe konkurrencën në tregjet e punës. Platforma u mundëson të rinjve të konkurrojnë në nivele evropiane dhe botërore, si dhe institucioneve të përmirësojnë cilësinë e arsimit profesional përmes shkëmbimit të përvojave, politikave dhe praktikave.

Ambasadorja e Zvicrës, znj. Veronik Ulman, theksoi mbështetjen e gjatë të Zvicrës ndaj reformave në arsimin profesional në vendin tonë, duke theksuar rëndësinë e arsimit dual, përfshirjen e sektorit privat dhe anëtarësimin në WorldSkills Europe.

“Ne ishim lehtësues të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në WorldSkills Europe sepse besojmë se përmes kësaj platforme vendi do të ketë qasje të vazhdueshme në praktika të mira evropiane në arsimin profesional dhe trajnimin. Kjo do të kontribuojë në një sistem më të fortë dhe më fleksibël. Gjithashtu, WorldSkills paraqet një mundësi unike për të rinjtë talente që të tregojnë aftësitë dhe kompetencat e tyre para publikut të gjerë.”

Përveç kësaj, në ngjarje u ndanë përvojat e Kroacisë si vend anëtar, me një fokus të veçantë te vlera e rrjetëzimit, motivimi i të rinjve dhe mundësitë për shkëmbimin e praktikave të mira. U theksua veçanërisht rëndësia e koordinimit midis institucioneve, shkollave dhe kompanive për forcimin e mëtejshëm të arsimit profesional. Pas ratifikimit të anëtarësimit në vjeshtë, pasojnë përgatitjet për pjesëmarrjen e parë të nxënësve maqedonas në garat EuroSkills, ku do të kenë mundësinë të konkurrojnë në nivel evropian dhe të tregojnë talentin e tyre.