Materiale moderne për arsim të mesëm profesional cilësor

Materiale moderne për arsim të mesëm profesional cilësor

Mësimdhënës, përfaqësues të sektorit të biznesit dhe ekspertë ndërkombëtarë kanë punuar së bashku për të përmirësuar cilësinë e arsimit profesional përmes zhvillimit të materialeve didaktike. Gjatë një punëtorie dy-ditore në kuadër të projektit “Arsim për Punësim” – E4E@mk, pjesëmarrësit fituan informacion të rëndësishëm dhe vetë krijuan plane veprimi për promovimin e vazhdueshëm të materialeve didaktike.

Në thelb të punëtorisë ishte bashkëpunimi midis shkollave dhe kompanive. Sipas Ivana Georgievska dhe Boris Trimçev nga E4E@mk, zbatimi i arsimit dual është një aktivitet mjaft i shtrenjtë në të cilin sektori i biznesit mund të japë një kontribut të rëndësishëm. Ata theksuan se sa e rëndësishme është që nxënësit të kenë qasje në materiale të përshtatshme, pajisje moderne dhe arritje të reja teknologjike, të cilat nuk mund të sigurohen gjithmonë nga shteti, as nuk mund të jenë të disponueshme në shkolla.

Ekspertët ndërkombëtarë ndanë përvojën e tyre nga Zvicra, ku çdo program shkollor bazohet në një situatë pune. Marianne Miller, nga Federata Zvicerane për Mësimin e të Rriturve (SVEB), prezantoi zgjidhje digjitale më kreative dhe falas të cilat mësimdhënësit mund t’i përdorin çdo ditë.

“Krijimi i materialeve didaktike është një nga pjesët më interesante të të qenit mësimdhënës. Ju krijoni programin, planifikoni se çfarë do të bëni në klasë, mendoni se çfarë i duhet klasës për të kuptuar temën që po ligjëroni”, thotë Marianne Miller, nga SVEB.

Sipas Emmanuel Wittrich, nga Universiteti Federal Zviceran për Arsim Profesional dhe trajnim (SFUVET), gjëja më e rëndësishme është të zbatohet didaktika bazuar në situatat e punës, edhe pse është një proces afatgjatë. Ai thekson se është e nevojshme të përdoret situata e punës si një spirancë për zhvillimin e mëtejshëm të njohurive, aftësive dhe qëndrimeve midis nxënësve.

Në këtë drejtim, Aneta Petrovska Rusomaroski, Menaxhere e Burimeve Njerëzore në EVN Maqedoni, prezantoi bashkëpunimin e suksesshëm midis kompanisë dhe SHMKE “Mihajlo Pupin” nga Shkupi përmes projektit “20-20-20”. Ky partneritet daton që nga viti 2017 kur së bashku përgatitën një plan dhe program të ri, pajisën plotësisht një klasë dhe ndërtuan një qendër trajnimi në Shkup. Sot, ato mund të përdoren gjithashtu për arsimin e nxënësve që nuk marrin pjesë në procesin e tyre të mësimit gjatë punës, duke shtuar kështu vlerë në investimin dhe donacionin e tyre.

Prof. dr. Elena Rizova, nga Fakulteti Filozofik – Shkup, ndau gjetjet e hulumtimit të kryer në lidhje me situatën aktuale me materiale didaktike në arsimin profesional dhe trajnimin në vend dhe bëri rekomandimet e veta për zhvillimin e mëtejshëm të situatës në vend.

Kjo ngjarje është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit të mesëm profesional përmes bashkëpunimit dhe qasjes strategjike ndaj materialeve didaktike. Ngjarja është pjesë e projektit “Arsim për Punësim” – E4E@MK, financuar nga Qeveria e Zvicrës dhe zbatuar nga Helvetas.