Nga klasa në fabrikë – arsimi dual krijon inxhinierë cilësorë

Nga klasa në fabrikë – arsimi dual krijon inxhinierë cilësorë

Në botën e sotme të ndryshimeve të shpejta, aftësitë praktike janë po aq të rëndësishme sa njohuritë teorike. Programet e arsimit dual kapërcejnë hendekun midis klasës dhe vendit të punës, duke krijuar një mjedis dinamik të të mësuarit. Ky është shembulli i Jana Vasilevës, studente në  OEMUC “Shën Naum i Ohrit” në Ohër, e cila kombinon klasat e rregullta me trajnimin praktik në fabrikën Kostal.

Balancimi i teorisë dhe praktikës

Jana po trajnohet për t’u bërë teknike e makinerive të prodhimit. Fillimisht, sistemi arsimor dual ishte një sfidë, por ajo shpejt e kuptoi se përvoja praktike lehtëson zotërimin e asaj që mëson në teori.

Dita e saj në fabrikë fillon me mentorin e saj që shënon pjesëmarrjen e të gjithë praktikantëve, dhe më pas të gjithë hyjnë së bashku në fabrikë ku secili nxënës fillon të realizojë detyrat e tij nën drejtimin e një të punësuari me përvojë.

“Edhe pse në fillim më dukej e vështirë, kuptova se me praktikë do të ishte më e lehtë të zotëroja pjesën teorike të shkollës,” thotë Jana.

Kjo përvojë praktike është e paçmueshme. Jo vetëm që i ndihmon studentët të kuptojnë më mirë konceptet teorike, por gjithashtu u jep atyre njohuri për zbatimet reale. Rutina e përditshme e Janës përfshin punën në projekte dhe detyra të ndryshme që zakonisht do të kryente një i punësuar, duke e përgatitur kështu atë për punësim në të ardhmen. Ky kombinim i mësimit dhe punës siguron që studentët si Jana të jenë jo vetëm të përgatitur akademikisht, por edhe praktikisht të aftë.

Mentorimi dhe zhvillimi i aftësive

Një nga përfitimet kryesore të arsimit dual është mentorimi. Kliment Ristoski  është mentori i Janës, i cili është këtu për ta ndihmuar atë të përshtatet lehtësisht me mjedisin e punës dhe të zotërojë aspektet praktike të arsimit të saj. “Për Kostal, arsimi dual është një mundësi e shkëlqyer për t’u mundësuar nxënësve që kanë kryesisht interes dhe potencial të zhvillojnë aftësitë e nevojshme teknike që do të jenë me rëndësi të veçantë për ta nëse vendosin të vazhdojnë të punojnë në kompaninë tonë,” thotë Kliment.

Mentorët luajnë një rol kryesor në këtë model arsimor. Ato ofrojnë udhëzime, ndajnë përvojat e tyre profesionale dhe ndihmojnë nxënësit të kapërcejnë respektivisht të tejkalojnë sfidat. Për Janën, mentor do të thotë ekzistenca e një personi që mund të adresojë çdo pyetje, duke e bërë kalimin nga shkolla në punë më pak frikësues. Kjo vëmendje e personalizuar i ndihmon nxënësit të fitojnë besim dhe kompetencë në fushat e tyre të zgjedhura. Por mentorimi shpesh përfshin edhe përvetësimin e llojeve të tjera të aftësive. Përfshin sjelljen afariste, aftësitë e komunikimit dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve. Këto aftësi të buta janë të domosdoshme për çdo mjedis profesional dhe shpesh janë ato që dallojnë të punësuarit e suksesshëm nga të tjerët. Përmes punës me mentorët e tyre, nxënësit si Jana mësojnë se si të përballen me vendin e punës duke u ndërtuar në profesionistë të rinj të vërtetë.

Thyerja e stereotipeve dhe nxitja e gjithëpërfshirjes

Sistemi i arsimit dual në Kostal gjithashtu ndihmon në thyerjen e stereotipeve gjinore në fuqinë punëtore. Pavarësisht besimeve tradicionale se inxhinierët janë kryesisht meshkuj, Jana dhe shoqet e saj të klasës dëshmojnë të kundërtën.

Shumë vajza, të inkurajuara nga prindërit dhe mentorët e tyre, kapërcejnë barrierat shoqërore dhe kanë sukses në këto fusha. Sigurisht, nuk është gjithmonë kështu dhe është ende e nevojshme të punohet dhe të bisedohet me mësimdhënësit, prindërit dhe menaxhmentin e kompanive që përmes perceptimeve të vjetruara mund t’i dekurajojnë vajzat të ndjekin ëndrrën e tyre.

“Mendoj se mungesa e interesit është për shkak të disa stereotipeve të vendosura nga shoqëria, si ideja se ky profesion është për burrat. Absolutisht nuk pajtohem me këtë”, thotë Jana.

Kostal po punon në mënyrë aktive për të thyer këto stereotipe duke inkurajuar më shumë vajza të marrin pjesë në programet e tyre. Për momentin, fabrika ka tetë praktikantë dhe numri po rritet çdo vit. Kjo jo vetëm që promovon barazinë gjinore, por gjithashtu sjell perspektiva të ndryshme në vendin e punës që kontribuojnë më tej në zhvillimin dhe inovacionin në kompani.

Qasja gjithëpërfshirëse arsimore

Mentorët në fabrikë nuk veprojnë vetë. Programi mësimor praktik në kompani është plotësisht në përputhje me programin e të mësuarit përmes punës të krijuar bashkërisht nga mësuesit e lëndëve dhe mentorët e kompanisë. “Ne, si mentorë të shkollave, kemi për detyrë të realizojmë lidhjen midis asaj që mësohet në shkollë në lëndët teorike dhe ushtrimeve praktike, me atë që është nevoja themelore e kompanive,” shpjegon mentori i Janës në shkollë. Detyra e tij është të sigurojë që ajo të cilën nxënësit mësojnë në teori të përputhet me aftësitë praktike të nevojshme në vendin e tyre të punës, duke siguruar një përvojë gjithëpërfshirëse arsimore.

Bashkëpunimi midis shkollave dhe kompanive është thelbësor për suksesin e arsimit dual. Shkollat hartojnë programet e tyre mësimore për të përmbushur nevojat e industrisë, duke siguruar që nxënësit të mësojnë aftësitë përkatëse. Ndërkohë, kompani si Kostal ofrojnë trajnim praktik dhe përvojë në botën reale që shkollat nuk mund të ofrojnë. Ky partneritet krijon një integrim të pandërprerë të arsimit dhe punës, duke i përgatitur nxënësit që të kenë mundësinë të arrijnë një karrierë të suksesshme.

Helvetas kontribuon në këto reforma së bashku me partnerët e saj kryesorë, si pjesë e projektit zvicran “Arsim për punësim” nën ombrellën e  Ministrisë së arsimit dhe shkencës.  Oda ekonomike punon në mënyrë aktive me kompanitë për të rritur ndërgjegjësimin për modelin dual, rëndësinë e pjesëmarrjes së kompanive në procesin arsimor dhe mbështetjen e nxënësve në përvetësimin e aftësive praktike. Qendra për arsim profesional dhe  trajnim (QAPT), nga ana tjetër, punon për të rritur cilësinë e arsimit profesional që duhet t’i përgjigjet nevojave të tregut të punës. Përveç këtyre partnerëve kryesorë, 30 partnerë të tjerë kontribuojnë në mënyra të ndryshme në aktualizimin dhe ngritjen e cilësisë së arsimit dual në vend. Kjo iniciativë e përbashkët tregon se si qasja e sistemit mund të krijojë ndryshime domethënëse në sistemin arsimor dhe të ofrojë mundësi më të mira për të rinjtë. Me këto përpjekje, arsimi dual në Maqedoninë e Veriut vazhdon të zhvillohet dhe të ofrojë mundësi domethënëse për të rinjtë, duke i përgatitur ata për karrierë të suksesshme dhe përmbushëse.