Nga: Zenebe B. Uraguchi – 12 maj 2019
Kur flasim për punësimin, duhet të pranojmë: i kushtojmë më shumë kujdes numrit të vendeve të krijuara të punës. Kërkoni një politikan për (ri)zgjedhje, ose një menaxher projekti që përpilon raport vjetor për punësimin…
Atëherë vjen në shprehje se kush e merr punën – burrat, gratë, njerëzit e zonave rurale, minoritete etnike, të rinjtë. Lloji i punës – cilësia e punës – duket se është një mendim shtesë përkundër diskutimeve shumëvjeçare.
Mendoj se ka ardhur koha që të merremi me këtë prioritet të gabuar.
… Por, çfarë është ajo që e bën një punë të jetë “punë cilësore”?
Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka promovuar tashmë një kohë të gjatë agjendën e punës dinjitoze. Me rrezikun e thjeshtësimit të tepruar, gjithçka gjendet në aspiratat e njerëzve gjatë jetës së tyre të punës. ILO-ja doli me dhjetë elementë thelbësorë që përfshijnë fitime përkatëse ose të ardhura korrekte, perspektiva më të mira për zhvillim personal, siguri në vendin e punës, etj. Agjenda e punës dinjitoze është e përfshirë në Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm me një qëllim specifik.
Përderisa shumica e treguesve të cilësisë së punës janë të prekshëm (p.sh. paga), të tjerët janë të hapur për interpretim (p.sh. një punë i plotëson preferencat e punëtorëve – gjegjësisht punë që punëtori e përjeton). Ndonjëherë, shumica e indikatorëve mund të jenë gjithashtu objektive dhe subjektive në të njëjtën kohë, varësisht nga kontekstet dhe individët. Me fjalë të tjera, cilësia e punës është një vazhdimësi aq sa është një qëllim dhe nuk ka një metrikë të vetme për ta matur atë.
Përfitimi minimal ose kufiri i sipërm i të ardhurave mund të shërbejë për të vlerësuar një të ardhur përkatëse (kompensim dhe përfitime). Një shembull i tillë është hulumtimi i majit të vitit 2019 në industrinë e veshjeve të Etiopisë e cila paguan pagën më të ulët se çdo vend që prodhon veshje në botë: 26 dollarë në muaj! Kjo është më pak se një dollar në ditë. Dhe dallimi me vendet e tjera është gjithashtu astronomik – për shembull, Kenia 207 dollarë!
Është më e lehtë të kritikosh vendet në zhvillim ose vendet në tranzicion për cilësi të dobët të vendeve të punës. Situata nuk është më e mirë për disa punëtorë në Evropë ose në Amerikën e Veriut. A keni dëgjuar për termin “punëtor i varfër”? Kjo u referohet njerëzve “që kalojnë 27 javë ose më shumë brenda një viti si fuqi punëtore, ose punojnë ose kërkojnë punë, por të ardhurat e të cilëve bien nën nivelin e varfërisë”. Më 2014-ën, 10% e punëtorëve evropianë ishin të ekspozuar ndaj rrezikut të varfërisë, që shënon rritje nga 8% sa ishte në vitin 2007.
Dhe pse duhet të kujdesemi më shumë për cilësinë e punës
Jam plotësisht i vetëdijshëm se është më mirë që së pari të jesh i punësuar sesa ndryshe. Përkundër shifrave të frikshme të papunësisë, një vështrim më i afërt i shifrave tregon se kurrë më parë nuk ka pasur më shumë njerëz në punë. Është gjithashtu e vërtetë se ka më shumë vende pune sesa njerëz që nuk punojnë ose kërkojnë punë. Pritet që ky trend të ndryshojë me ndryshimin e natyrës së botës së punës – shënojnë rritje modele të reja të punësimit (me kohë të pjesshme, të përkohshme, punë vetjake); është duke u përhapur puna informale dhe e papaguar e familjes.
Llidhur me atë se pse duhet të marrim seriozisht cilësinë e vendeve të punës, mund t’i përmendi arsyet e mëposhtme bindëse.
Një punë ka të bëjë me qëllimin, mirëqenien dhe lidhjet shoqërore: një hulumtim i vitit 2018 në Amerikën e Veriut tregoi se nëntë prej 10 vetëve janë të gatshëm të fitojnë më pak para për të bërë punë më të rëndësishme. Unë nuk mendoj se agjenda e punës dinjitoze është një aspiratë luksoze e kufizuar vetëm në vendet e zhvilluara. Për të gjithë ne – qoftë etiopianë, brazilianë, amerikanë, indianë, zviceranë apo fixhianë – punësimi ka një ndikim të fortë mbi mirëqenien tonë. Njerëzit punojnë më gjata – qoftë në vend pune ose në shtëpi, e edhe me pagesë edhe pa pagesë.
Cilësia e punës është një nxitës i rëndësishëm i rritjes së pjesëmarrjes së fuqisë punëtore, produktivitetit dhe performancës ekonomike: me fjalë të tjera, ajo ndikon në përzgjedhjen e njerëzve për të punuar, për të hequr dorë, dhe sa mund japin në punë. Puna e papaguar, mungesa e prindërit, pengesat ligjore, mbrojtja sociale dhe ndarja digjitale janë faktorë që përcaktojnë pjesëmarrjen grave dhe burrave në tregun e punës. Një studim i paradokohshëm tregon se thuajse 300 milionë punëtorë jetojnë në varfëri ekstreme në mbarë botën, duke përfshirë 40% të të gjithë punëtorëve në vendet në zhvillim. Puna dinjitoze nuk është vetëm e mirë shoqërore, por edhe nevojë afariste.
Gjithçka ka të bëjë me njerëzit: një kuptim më i mirë i cilësisë së punës i vë njerëzit dhe jetët e tyre në qendër të diskutimit. Njerëzit gjithnjë e më shumë vënë në dyshim kuptimin e rritjes ekonomike nëse disa anëtarë të shoqërisë po bëhen më të pasur dhe të tjerët po punojnë gjithnjë e më shumë për të ruajtur standardin e tyre të jetesës. Frustrimi mund të çojë në migrim ose ndarje të shoqërisë. Kjo është arsyeja pse Synimi 8 i SDG-së ka të bëjë me punën dinjitoze dhe rritjen ekonomike për të nxitur rritjen gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme ekonomike, punësimin dhe cilësinë e punës për të gjithë. Përveç kësaj, rritja e ndërgjegjësimit të konsumatorit dhe roli i sindikatave të punës dhe i lëvizjeve sociale po ushtrojnë presion ndaj punëdhënësve për të adresuar praktikat e eksploatimit dhe të dëmshme.
Bisedë në ecje
Jam i pasionuar për këtë temë, siç mund ta shihni më lartë. Megjithatë, unë gjithashtu e pranoj se është bërë shumë dhe se sigurimi dhe matja e cilësisë së punës është një detyrë komplekse. Për këtë nevojiten përpjekje të përbashkëta prej më shumë palëve të interesuara. Ja disa mënyra për përmirësimin e kushteve.
Së pari, cilësia e punës është në thelb një çështje e politikës punëtore/rregullatore. Politikat aktive dhe pasive të tregut të punës duhet të sigurojnë mjedis të përshtatshëm për rritjen dhe shkathtësitë që zhvillohen në përputhje me nevojat e tregut. Një shembull konkret është mbyllja e mangësive rregullatore dhe përmirësimi i programeve të mbrojtjes sociale. Kjo po bëhet urgjente meqë bota e punës po zhvendoset drejt formave jostandarde të punësimit – punësimit të përkohshëm, punës me kohë të pjesshme dhe punës me thirrje dhe punës së përkohshme të agjencisë. Përderisa kjo jep fleksibilitet, gjithashtu i ekspozon punëtorët ndaj kushteve të rrezikshme dhe të paqëndrueshme të punës.
Së dyti, punëdhënësit, kryesisht ndërmarrjet e sektorit privat, duhet të shohin cilësinë e punës më shumë sesa përmbushjen e kërkesave rregullatore. Ka një rast biznesi. Investimi në kushte më të mira të punës shpaguhet. Disa shembuj përfshijnë krijimin e vlerës (cilësia dhe produktiviteti/efikasiteti); elasticitetin e biznesit (kohezioni në vendin e punës dhe nxitja për inovacion, besimi i klientit në rritje); dhe rritja dhe menaxhimi i riskut (mungesa e shkathtësive, qarkullimi, kapaciteti prodhues).
Së treti, një nga matjet e cilësisë së punës është mundësia për punëtorët që të kenë lirinë e shoqërimit dhe të drejtën për negociata kolektive. Strategjia Botërore e Punësimit dhe perspektiv sociale e ILO-s në vitin 2019 paraqet një pamje të zymtë: “miliona njerëz të detyruar të pranojnë kushte joadekuate të punës”.
Bashkëpunimi zhvillimor ka shumë për të plotësuar përpjekjet e mësipërme në drejtim të kuptimit më të mirë të shkaqeve rrënjësore, duke mbështetur protagonistët që të koordinojnë dhe ushtrojnë më mirë funksionet e tyre dhe të kontribuojnë në matjen e asaj se çfarë funksionon dhe çfarë jo dhe pse.