Qendra për Arsim Profesional dhe Trajnim në periudhën nga 17 deri më 22 gusht 2023, realizoi një seri prej tetëmbëdhjetë punëtori ku profesorë nga shkollat e mesme profesionale, së bashku me punëdhënësit, përgatitën “Programin dhe planin për mësim përmes punës”. Këto programe u referohen nxënësve të vitit të dytë dhe të tretë në paralele me një numër më të madh të orëve mësimore të arsimit praktik, i ashtuquajturi arsim dual.
“Përmes planifikimit të përbashkët të mësimit përmes punës, punëdhënësit trajnojnë nxënësit sipas kompetencave të kërkuara në veprimtarinë, duke krijuar një forcë pune që pas përfundimit të arsimit formal është e gatshme të angazhohet në proceset e punës. Nga ana tjetër, shkollat kanë mundësi të mbështesin njohuritë teorike me trajnime praktike në një vend të vërtetë pune, gjë që promovon cilësinë dhe atraktivitetin e arsimit profesional”, thonë nga Qendra për Arsim Profesional dhe Trajnim.
Në punëtoritë morën pjesë 324 përfaqësues nga 52 shkolla të mesme profesionale dhe 3 Qendra Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim, mësimdhënës për lëndët profesionale, si dhe mentorë nga kompanitë me të cilat shkollat bashkëpunojnë për arsim praktik. Për disa prej tyre, kjo është përvoja e parë e tillë, ndërsa disa nga pjesëmarrësit tashmë kanë marrë pjesë në punëtoritë e vitit të kaluar të të njëjtit lloj dhe thanë se ndihen të gatshëm të planifikojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet për zbatimin e arsimit praktik.
Realizimi i këtyre punëtorive u mbështet nga projekti “Edukim për Punësim në Maqedoninë e Veriut” – E4E@mk, i cili mbështetet nga qeveria zvicerane, dhe zbatohet nga shoqata “Helvetas”. Projekti mbështet reformat e arsimit profesional në vend dhe kontribuon për punësim më dinjitoz të të rinjve në një mënyrë gjithëpërfshirëse shoqërore.

