Si mund ta shfrytëzojmë fuqinë e komuniteteve të diasporës për njerëzit me aftësi të kufizuara?

Si mund ta shfrytëzojmë fuqinë e komuniteteve të diasporës për njerëzit me aftësi të kufizuara?

NGA: MITKO PISHTOLOV DHE NADIRE SELIMI, 17 GUSHT, VITI 2020

Organizatat që punojnë për personat me aftësi të kufizuar kanë tendencë të mbesin të vetmuar në përpjekjet për të çuar përpara kauzën e personave me aftësi të kufizuar. Shumica e përpjekjeve të tyre kanë të bëjnë me promovimin e të drejtave themelore të personave me aftësi të kufizuar. Si mund organizata të tilla të luajnë më shumë role në zhvillimin e aftësive profesionale dhe punësimin? A janë komunitetet e diasporës përgjigja ndaj kësaj pyetje?

*******

Duke shkuar përtej remitencave dhe donacioneve të rastit

Me komunitetet e diasporës, nënkuptojmë emigrantë ose pasardhës të emigrantëve, identiteti dhe ndjenja e përkatësisë së të cilëve është formuar nga përvoja dhe prejardhja e tyre e migracionit. Ka interes brenda komuniteteve të diasporës për të mbështetur zhvillimin e vendit të tyre të origjinës  përtej transferimit të remitencave tek familja (e gjerë) e tyre. Në nivel global, numri i njerëzve që jetojnë jashtë vendit të origjinës së tyre pothuajse është trefishuar gjatë 45 viteve të fundit – nga 76 milion në 250 milion.

Diaspora e Maqedonisë së Veriut në Zvicër dhe më gjerë e ka dëshmuar veten si një kontribues bujar dhe thelbësor në mirëqenien e popullit në Maqedoninë e Veriut. Zakonisht, ky kontribut ndodh në formën e remitencave për familjet e tyre, dhe nganjëherë në formën e donacioneve për të mira publike, siç janë ndihmë për dikë të ndërtojë shtëpi, mbështetja e studentëve ose furnizime të ndryshme për institucionet.

Por ndërhyrjet e tilla janë për ndonjë rast specifik dhe kanë tendencë të adresojnë ndonjë nevojë të momentit dhe jo të një grupi të tërë shoqëror. Anëtarët e komunitetit të diasporës kanë mbështetur fuqishëm dhe kanë ruajtur lidhjet me vendin e tyre, por gjithmonë duke patur në mendje ndokënd specifik. Dhe kjo, si dukuri më vete, meriton admirim.

Në këtë blog, pyesim veten: çfarë nëse komunitetit të diasporës i jepet një objektiv i ri dhe një ‘dikush’ i ri? Po sikur komuniteti i diasporës të drejtonte fokusin te njerëzit me aftësi të kufizuara dhe nevojën e tyre për aftësim profesional dhe punësim?

Duke përlehtësuar dhe angazhuar diasporën e Maqedonisë së Veriut

Projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (AZZhB), Arsim për Punësim në Maqedoninë e Veriut (E4E@mk),  ka mbështetur personat me aftësi të kufizuara që të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale dhe t’i përgatisin ata për t’u futur në tregun e punës së Maqedonisë së Veriut. I zbatuar nga HelvetasQendra Maqedonase për Edukim Qytetar dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë, projekti lehtëson investimet në vend të përkrahjes së njëhershme për personat me aftësi të kufizuara. Investimi nuk është vetëm në “kuptimin monetar” por gjithashtu përfshin përmirësimin e jetës së tyre të përgjithshme – vetë-qëndrueshmërinë e tyre, vetëbesimin dhe mirëqenien sociale.

Për këtë, projekti ka tërhequr vëmendjen e diasporës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, e cila ka qenë pjesë e sektorit zviceran të zhvillimit të aftësive profesionale dhe mund të ofrojë jo vetëm kontribut financiar/material, por edhe transferim të njohurive. E4E@mk filloi të kërkojë partnerë të specializuar në Maqedoninë e Veriut për mbështetje të personave me aftësi të kufizuara. Pas një procedure rigoroze vlerësimi, dy organizata u zgjodhën si partnerët më të përshtatshëm – Handimak nga Tetova dhe Polioplus nga Shkupi.

Projekti, si lehtësuesin kryesor të kësaj iniciative, ka angazhuar Ragmi Jusufin, filantrop dhe përfaqësues i Diasporës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, si person për kontakt me diasporën; Ministrinë e Punëve të Jashtme; Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Zvicër; dhe Ambasadën Zvicerane në Shkup. Takimi i parë ndodhi në Cyrih në Zyrën Qendrore të Helvetas, ku u përfshinë përfaqësuesit e diasporës dhe dy organizatat që punojnë në emër të personave me aftësi të kufizuara.

Siç pritej, anëtarët e diasporës nga Maqedonia e Veriut konfirmuan gatishmërinë dhe vullnetin e tyre për t’u përfshirë në mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara në vendin e tyre. Anëtarët e komunitetit të diasporës donin të shihnin një propozim të qartë për angazhimin e tyre domethënës, sesa thjesht të merrnin pjesë në hartimin e propozimit.

Me mbështetjen e E4E@mk, të dy organizatat janë afër formimit të ueb faqeve promivuese dhe mekanizmave të tjera digjital, për të marrë mbështetje nga komuniteti i diasporës dhe qytetarët vendas. Organizatat gjithashtu po studiojnë dhe identifikojnë ofruesit e zhvillimit të aftësive profesionale për personat me aftësi të kufizuara, si dhe kompanitë që t’i punësojnë personat e trajnuar pas trajnimit.

Promovimi i konceptit synon të mundësojë përfshirje më të madhe dhe më të mirë për të dy organizatat. Sapo të jetë i gatshëm koncepti, pritet që diaspora dhe mbështetja vendase të rezultojë me mbështetjen e 270 personave me aftësi të kufizuara që do të kenë aftësi të zhvilluara/të forcuara profesionale, 140 mentorë të trajnuar në kompani, 30 vetëpunësime dhe 40 vende pune me orar të plotë. Qëllimi përfundimtar është të krijohet bashkëpunim i qëndrueshëm midis komunitetit të diasporës dhe dy organizatave dhe gjithashtu të frymëzohen organizata tjera që mbështesin personat me aftësi të kufizuara në rrugëtimin e tyre drejt punësimit për të kërkuar dhe përdorur kanale alternative të resurseve e jo vetëm ata të qeverisë.

Megjithatë, asgjë nuk është e lehtë…

Pasiguria se dikush shumë kilometra larg do të mbështesë një grup të tërë shoqëror pa i njohur ata personalisht ka qenë një nga frikët e para të dy organizatave që punojnë në emër të personave me aftësi të kufizuara. Pastaj erdhi pandemia Covid-19 e cila ka qenë rrënuese në dy mënyra. Së pari, pandemia ka prekur (si në aspektin shëndetësor, ashtu edhe në atë ekonomik) vendet e Evropës Perëndimore përfshirë edhe Zvicrën. Së dyti, pandemia ka qenë gjithashtu krizë e trefishtë për personat me aftësi të kufizuara.

‘Tani më shumë se kurrë njerëzit me aftësi të kufizuara kanë nevojë për më tepër mbështetje pasi frika e tyre dhe e shoqërisë në përgjithësi nga COVID-19 është rritur dyfish. Për to mundësia për tu pajisur me aftësi profesionale që do t’i shpie në një punë të mirë ka vlerë si me ju pas falë botën’ thotë Sofija Georgievska, profesoreshë e psikologjisë, e cila gjithashtu menaxhon një iniciativë tjetër me E4E@mk për personat me aftësi të kufizuara.

Për ta bërë idenë të funksionojë, së pari, është thelbësore që të angazhojmë komunitetin e diasporës në intervenime që përputhen me nismat ose idetë e tyre ekzistuese. Nuk kemi pse ta shpikim rrotën përsëri, por t’i mësojmë dhe përmirësojmë ato ekzistuese. Së dyti, gjithashtu ekziston nevoja për të krijuar besim – të sigurojmë se mbështetja e komunitetit të diasporës menaxhohet nga njerëz/organizata të besueshme dhe se ajo nuk përdoret për gjë tjetër përveç qëllimit për të cilin është dedikuar. Së treti, çdo iniciativë duhet gjithashtu të mbështetet me sisteme për të ditur se çfarë funksionon dhe çfarë jo (p.sh. sistem i monitorimit dhe matjes së rezultateve me madhësi të duhur dhe funksionale). Komuniteti i diasporës – për çështjen për të cilën alokon burime të kufizuara – dëshiron të shohë se ajo që investohet kontribuon për rezultate të qëndrueshme dhe me potencial për përsëritje dhe rritje.

“Diaspora jonë ka mbështetur grupe të cenueshme në Maqedoninë e Veriut edhe para fillimit të këtij intervenimi,” thotë Ragmi Jusufi gjatë paraqitjes së tij në TV duke prezantuar këtë intervenim në Maqedoninë e Veriut. ‘Ne, gjithashtu, kemi edhe imamë që janë angazhuar jashtëzakonisht në mbledhjen e resurseve, por vetëm për raste specifike ose familje konkrete. Dallimi tani është se po krijojmë një sistem të tërë të qëndrueshëm të mbështetjes’.

E4E@mk ka krijuar themel të fortë për organizatat që punojnë në emër të personave me aftësi të kufizuara ashtu që ata më tej të mund të vazhdojnë vetë. Këto themele variojnë nga vendosja e lidhjeve me komunitetin e diasporës deri në krijimin e një platforme digjitale në internet dhe mekanizmin e mobilizimit të resurseve, si dhe qasje të mirë publike për t’i treguar qëllimet e tyre.

Nga këtu, deri ku?

Kjo intervenim është larg përfundimit dhe zhvillime pritet që të ndodhin edhe më tej. Për të përhapur fjalën në lidhje me konceptin, një nga autorët e këtij artikulli i është drejtuar një anëtari të Diasporës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër dhe ka biseduar shkurtimisht për të paraqitur konceptin dhe për të parë reagimet fillestare. Jovanka Stojkovski, banore e Muralto-Locarno-s, në kantonin Ticino, ishte e kënaqur, si dhe e intriguar nga ideja që komuniteti i diasporës mund të mblidhte fonde për personat me aftësi të kufizuara dhe mund të mbështes avancimin e tyre në zhvillimin e aftësive profesionale.

Të gjitha përpjekjet e mëparshme për donacione, të Jovank-ës, të bëra nga familja e saj, kishin për qëllim mbledhjen e fondeve ose furnizimeve për institucionet në qytetet e tyre të lindjes në Maqedoninë e Veriut. Biseda tregoi se komuniteti i diasporës, kur ka platformen e duhur, mund të shkojë edhe më tej dhe më gjerë, si në shumë raste më parë.

Organizatat që punojnë në emër të personave me aftësi të kufizuara gjithashtu do të duhet të bëjnë hapin më të rëndësishëm përpara: daljen nga zona e tyre e komfortit dhe të jenë fuqimisht pro-aktive në komunikimin e konceptit të tyre me diasporën dhe publikun vendas, gjë që është mjaftë e ndryshme nga puna e tyre e zakonshme.

Nga ana tjetër, diaspora, pa asnjë detyrim, duhet të përpiqet të zgjerojë mbështetjen e tyre shumë të vlerësuar për grupin e cenueshëm social siç janë personat me aftësi të kufizuara. Anëtarët e komunitetit të diasporës shpesh vizitojnë Maqedoninë e Veriut. Ndoshta bashkëpunimi me organizatat që punojnë për personat me aftësi të kufizuara mund të avancohet në formë të vizitës dhe mentorimit të trajnimit për aftësim profesional, duke marrë parasysh që shumë anëtarë të diasporës kanë fituar aftësi të forta profesionale dhe mund t’ua transferojnë njohuritë personave me aftësi të kufizuara. Shumë anëtarë të diasporës janë sipërmarrës të suksesshëm në sektorët e aftësive profesionale; ata mund të jenë kampionë nëpërmjet mentorimit.

E4E@mk lehtëson, lidh dhe dakordëson të dy palët. Nëse ky intervenim do të shkojë përtej rezultateve të pritura apo jo varet shumë nga gatishmëria e të dy palëve dhe angazhimi i tyre për të përmirësuar perspektivat e një grupi të tërë social.