TRANSFORMIMI I ARSIMIT PROFESIONAL I ZYRTARIZUAR ME LIGJ

TRANSFORMIMI I ARSIMIT PROFESIONAL I ZYRTARIZUAR ME LIGJ

Në ditën Ndërkombëtare të Arsimit, ne festojmë përparim të rëndësishëm në formësimin e së ardhmes së arsimit dhe aftësimit profesional në vend, përkatësisht kjo është miratimi i Ligjit të ri për arsimin dhe aftësimin profesional. Ky ligj progresiv paraqet një hap të madh drejt përafrimit të arsimit me nevojat dinamike të tregut të punës. I njejti zyrtarizon atë që është bërë deri më tani për vullnetin e mirë të kompanive dhe shkollave, dhe kishte për qëllim të sigurojë që nxënësit të fitojnë aftësitë e nevojshme për suksesin në karrierë në botën e sotme dinamike.

Nevoja për ndryshim

Arsimi profesional është themeli i zhvillimit ekonomik, por vëreheshin zbrazëtira midis aftësive të fituara në shkollë dhe atyre të kërkuara nga punëdhënësit. Kanë qenë pikërisht kompanitë që kanë ndjerë më shumë pasojat e këtij çekuilibri dhe kanë pasur nevojë për të kapërcyer këtë hendek në sistemin arsimor. Zgjidhja e këtij hendeku është bërë prioritet për krijimin e një sistemi të fortë arsimor që mbështet rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ligji i ri është përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kësaj sfide, duke integruar mbylljen e hendekut dhe vendosjen e një rruge të qartë nga arsimi në punësim.

Arsimi i dyfishtë si zgjidhje

Një nga elementet më transformues në ligjin e ri është njohja formale e arsimit të dyfishtë. Kjo qasje është kombinim i të mësuarit në shkollë dhe trajnimit praktik në kompani të vërtetë, duke mundësuar që nxënësit në mënyrë paralele të fitojnë njohuri teorike dhe përvojë praktike. Në këtë mënyrë, arsimi i dyfishtë i përgjigjet nevojës për përvetësim të aftësive që mund të aplikohen menjëherë në vendin e punës.

Projekti Zvicerian “Arsimi për punësim në Maqedoninë e Veriut” (E4E@mk) luajti rol kyç në vendosjen e këtij modeli dhe mbështetjen e përgatitjes së këtij ligji me fokus në pjesën që trajton arsimin e dyfishtë, duke u mbështetur në përvojat nga praktikat më të mira ndërkombëtare, por duke i përshtatur ato me nevojat specifike të sistemit tonë arsimor.

Në Ligjin e ri është vënë theksi mbi partneritetin midis shkollave dhe kompanive, gjë që është dëshmi për rëndësinë e përfshirjes së industrisë në formësimin e arsimit. Bashkëpunimi i tillë e bën arsimin professional të jetë i adaptueshëm ndaj kërkesave të reja në tregun e punës.

Kontributi i Zvicrës

Në themel të të gjitha aktiviteteve të ndërmarra për të vendosur modelin e dyfishtë, ka qenë gjithmonë qasja sistematike. Gjatë viteve të fundit, kemi lehtësuar procese të rëndësishme, si:

– forcimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe privat;

– vendosja e modelit të arsimit të dyfishtë, i cili implikon një fond të shtuar të orëve të arsimit praktik, veçanërisht te punëdhënësit;

– përcaktimi i roleve dhe proceseve në arsimin e dyfishtë;

– ngritja e kapaciteteve ndërmjet partnerëve, përfshirë mësuesit, institucionet dhe bashkëpunëtorët;

– promovimi i modelit të ri dhe ndryshimi i perceptimit për arsimin profesional.

Rruga përpara

Miratimi i ligjit shënon fillimin e një epoke të re për arsimin profesional në vend. Zbatimi i tij do të kërkojë përkushtim të vazhdueshëm nga të gjitha palët e interesuara për të siguruar sukses. Shkollat duhet të pranojnë metodologji të reja dhe dinamika ndryshimi, kompanitë duhet të jenë proaktive në ndarjen e inovacioneve në sektorin me partnerët arsimorë të sektorit publik dhe të marrin pjesë aktive dhe të investojnë në arsim, dhe bartësit e politikëbërjes duhet të ofrojnë mbështetje të vazhdueshme për përmirësimin, zgjerimin e këtyre nismave. dhe monitorimin e tyre për përmirësim.

Me përafrimin e arsimit me nevojat e industrisë, jo vetëm që i përgatisim nxënësit për hapat e parë në karrierën e tyre, por gjithashtu nxisim një elasticitet dhe qëndrueshmëri më të madhe ekonomike. Ky ligj paraqet dëshmi se çfarë mund të arrihet kur bashkëpunimi mes sektorit privat dhe atij publik e udhëheq reformën në arsim.

Të vazhdojmë të punojmë sëbashku për të siguruar që arsimi profesional të mbetet një shtyllë dinamike dhe tërheqëse e sistemit tonë arsimor, duke u mundësuar brezave të ardhshëm të fitojnë kompetencat dhe të krijojnë mundësitë që i meritojnë.